Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën e VI ndërkombëtare me titull "Kërkime Gjuhësore". Për programin klikoni këtu

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, në datën 14 korrik 2017 organizon konferencën shkencore me titull "Studime letrare në proces: Rezultate dhe probleme, III". Për programin klikoni këtu

Thirrje për konferencë pdf Shtyp Email
Antropologji-Arte
Shkruar nga Administrator   
E mërkurë, 23 Shtator 2015 11:02

Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Departamenti i Etnologjisë, organizon Konferencën III, të përvitshme "Antropologjia, Etnologjia dhe Historia". Debati për raportin që kanë mes tyre, antropologjia social-kulturore dhe etnologjia me historinë, dhe anasjelltas, ka marrë vëmendjen e herëpasherëshme të shumë studiuesve si të historisë së mendimit antropologjik, ashtu edhe të teoricineve që kanë kontribuar në teorinë antropologjike. Etnologjitë kombëtare në Evropën Qëndrore, Lindore e Juglindore u fokusuan në studimin dhe shpesh ruajtjen dhe ndryshimin e jetës tradicionale (rite e rituale, doke e zakone, ekonomi tradicionale si dhe kulturë materiale) të popujve përkatës, e cila lokalizohej diku në të shkuarën. Po ashtu, me vendosjen e sistemeve socialiste, pati përpjekje teorike për të organizuar interpretimin e të shkuarës tradicionale sipas qasjes së materializmit dialektik. 

Në disa shtete, mes të cilave bën pjesë edhe Shqipëria, etnologjia, që atëherë njihej si etnografi, konsiderohej si pjesë e shkencave historike, dhe njëkohësisht si pjesë e shkencave të kulturës. Të gjitha këto sa u thanë, si dhe disa faktorë të tjerë, ndikuan drejtpërsëdrejti rrugën dhe qasjet teorike të etnografisë, e më vonë, etnologjisë e antropologjisë socio-kulturore shqiptare. Vitet e fundit, të kuptuarit dhe analizuarit e këtyre rrugëve dhe qasjeve të etnologjisë shqiptare u bënë fokus studimi për disa etnologë / antropologë shqiptarë dhe të huaj. Por analiza e marrëdhënies mes historisë dhe etnologjisë / antropologjisë në Shqipëri mund të thuhet se sapo ka nisur dhe ka ende shume çështje që duhen eksploruar.

Konferenca Antropologjia, Etnologjia dhe Historia, është konferenca e tretë e përvitëshme organizuar prej Departamentit të Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Kjo konferencë kërkon të mbledhë së bashku studiues dhe studentë, për të kontribuar në zgjerimin dhe thellimin e debatit teorik për raportin antropologji, etnologji dhe histori në rrafshin e studimeve shqiptare, por dhe më gjerë.

Kritika jo të pakta janë adresuar, si për traditën e etnologjisë nacionale, ashtu dhe për natyrën e të artikuluarit të historisë kombëtare. Në diskursin publik shumë tema si ajo e historisë së komunizimit, luftës së Kosovës, krijimit të shtetit të Kosovës, genocidit, ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë, post-socializmit në Shqipëri, janë skajuar qoftë në studimet historike qoftë në ato të antropologjisë shqiptare. Në të dy rastet, si antropologët ashtu dhe historianët kanë vendosur të mos merren më këto ngjarja e periudha, sepse sipas paradigmave dominante në institutet kërkimore shkencore, (në Prishtinë e Tiranë), vijohet të lihet e tashmja, apo e ‘shkuara e pakryer’ si kohë të cilat nuk i përkasin objektit kryesor të studimeve antropologjike, qoftë atyre historike.

Veç nevojës për të diskutuar mbi raportin e ketyre dy disiplinave duhet të theksojmë se viti 2015 shënoi ndarjen nga jeta të dy akademikëve në lëmin e etnografisë dhe etnologjisë shqiptare, përkatësisht Andromaqi Gjergjit dhe Mark Krasniqit. Të dy këta autorë përfaqësojnë brezninë e parë të etnografisë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, e ku historia e etnografia kanë fqinjësuar ngeshëm në punën e tyre. Ndërkohë, po në këtë vit ndërroi jetë antropologu i njohur në rrafsh botëror Jack Goody, njëri prej studiuesve më me emër që riartikuloi dhe vijoi të ngulte këmbë për marrëdhënien imtime që ka antropologjia dhe historia. Prandaj kjo konferencë është një tribut simbolik për këta studiuesë. Kësisoj kontribute mbi punët e tyre janë gjithëashtu të mirëpritura në këtë konferencë sidomos për të kuptuar e reflektuar mbi raportin e marrëdhënieve antropologji,etnologji dhe histori në kuadrin e studimeve bashkohore shqiptare por edhe më gjerë.

Disa tema orientuese mbi të cilat priten kontribute nga të interesuarit:

  1. Kujtesa, historia dhe antropologjia
  2. Shteti, antropologjia dhe historia
  3. Etnografia si metodë kërkimi në etnologji/antropologji dhe histori
  4. Antropologjia historike, etnologjia dhe historia
  5. Gjinia, etnologjia dhe historia.
  6. Historia e shkencës: etnologjia/antropologjia dhe historia.

Kriteret dhe afatet e aplikimit

  1. Titull
  2. Abstrakt nga 200 -250 fjalë.
  3. Dorëzimi deri me dt 30 tetor 2015.
  4. Kthimi i përgjigjeve me dt. 10 nëntor 2015.
  5. Adresa e konferencës Ky email po mbrohet prej spambots-ave, të duhet JavaScript per ta pare.

 

Modifikimi i fundit E mërkurë, 23 Shtator 2015 11:32
 

Kush është online?

Kemi 13 vizitorë online