Qendra e Studimeve Albanologjike organizon në datat 18-23 dhjetor, edicionin e pestë të veprimtarive "Ditët e Albanologjisë". Për programin e plotë klikoni këtu.

Formë regjistrimi



Botime të QSA



Aplikimi për "Doktoraturë" pdf Shtyp Email
Shkruar nga Administrator   
E henë, 15 Gusht 2011 12:22

 PROCEDURA E KONKURIMIT DHE DOKUMENTACIONI I DOSJES

Kandidati për studime doktorale në shkencat albanologjike dorëzon dosjen e aplikimit në sekretarinë pedagogjike të QSA, duke filluar nga data 1 shtator deri me 30 tetor 2012. Pas përfundimit të afatit të regjistrimeve, Komisionet Akademike dhe Komisionet e Pranimit shqyrtojnë dosjet e dorëzuara dhe bëjnë njoftimin për datën e intervistës eventuale me kandidatët. Mbas intervistës bëhet përzgjedhja e kandidatëve dhe shpallen listat fituese. Kandidatët fitues bëjnë regjistrimin e tyre përfundimtar në datën që do t’u njoftohet nga sekretaria pedagogjike e QSA.

Kushtet e pranimit në Doktoratë:

Për të aplikuar për regjistrim në studimet doktorale pranë QSA, kandidati duhet të zotërojë një diplomë të vlefshme, lëshuar nga një universitet i vendit ose i huaj (në këtë rast, diploma duhet të jetë e ekuivalentuar nga MASH), e cila i lejon atij regjistrimin në doktoratë. Diplomat e paraqitura duhet të kenë notë mesatare të përgjithshme 8 e lart. Kur fusha e diplomimit të aplikantit nuk korrespondon me fushën e zgjedhur prej tij në QSA, diploma e tij i nënshtrohet procedurës së ekuivalentimit, organizuar nga shkollat doktorale të QSA: në këtë rast, krahas detyrimit për të fituar 60 ECTS në studimet e organizuara të vitit të parë të doktoratës, kandidatit i kërkohet të fitojë 15 ECTS shtesë në fushën ku ai përgatit doktoratën.

Dokumentacioni i dosjes:

Dosja duhet të përmbajë dokumentet e renditura sipas listës poshtëshënuar; kandidati rrumbullakos dokumentet që përmban dosja e tij dhe firmos në fund të listës; koordinatori pedagogjik i QSA, mbasi verifikon praninë e dokumenteve sipas listës, firmos gjithashtu në fund të kësaj liste, fotokopjen e së cilës ia dorëzon kandidatit si dokument të marrjes në dorëzim të dosjes.

  1. Kërkesë për regjistrim në studimet doktorale pranë QSA në fushën e kërkuar; 
  2. Fotokopje e dokumentit recto/verso të letërnjoftimit ose çertifikatë origjinale me fotografi, si dhe fotokopje e pasaportës;
  3. 4 fotografi në format pasaporte;
  4. Kopje e noterizuar e diplomave universitare në zotërim, shoqëruar me kopjen e noterizuar të listës së notave / shtojcës së diplomave që lejojnë regjistrimin në doktoratë;
  5. Kopje e noterizuar e dëshmive të kualifikimeve pasuniversitare (nëse këto shënohen në CV), shoqëruar me listë notash ose shtojca përkatëse;
  6. Dy letra rekomandimi, secila e mbyllur në zarf të veçantë dhe e firmosur nga rekomanduesi (As.Prof.Dr. / Prof.Dr.), i cili firmos poashtu në vendin e mbylljes së zarfit.
  7. CV personale, ku jepen të dhënat vetjake (gjeneralitetet, adresa, telefoni, email), formimi shkollor e universitar, të dhëna profesionale dhe lista e botimeve;
  8. Fotokopje e 3 botimeve ose artikujve shkencorë të kandidatit (nëse ka); artikujt dhe librat e botuar, në origjinal, ose dëshmi të tjera të dokumentuara, që dëshmojnë aftësinë dhe formimin e kandidatit;
  9. Letër Motivimi (3-4 fq.), ku kandidati shpreh qartë qëllimin e ndjekjes së studimeve të doktoratës, temën e tezës që ai propozon, një sinops të tezës së propozuar, si dhe, eventualisht, propozimin e tij për drejtuesin shkencor (As.Prof.Dr. ose Prof.Dr.) që do ta udhëheqë për tezën e doktoratës;
  10. Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2500 lekë;
  11. Deklaratë se kandidati merr përsipër të shlyejë tarifat e regjistrimit dhe të shkollimit për të gjithë ciklin e doktoratës, në afatet që do të përcaktojë QSA.

SHËNIM: Të gjitha dokumentet për konkurrim dorëzohen nga vetë aplikanti në sekretarinë pedagogjike të QSA. Nuk pranohet dërgimi i dokumenteve dorazi, me email, fax ose me postë.

 

Modifikimi i fundit E enjte, 02 Tetor 2014 14:12